Askush nuk duhet të sakrifikojë e bindjet personale për një mendim ose dëshirë të dikujt tjetër.

Tufa

Masat

Pak ditë më parë nisa një temë mbi etikën dhe virtytet qe ne kemi neglizhuar këto kohë në Shqipëri. Një ndër pikat e prekura ishte dhe Integriteti dhe meqë kisha lexuar para disa kohësh një artikull interesant mbi të do doja ta përcillja. Artikulli bazohet mbi një eksperiment të quajtur: “Eksperimenti Milgram” dhe po e transmetoj të shqipëruar nga origjinali i botuar në blogun: Authorityrules.com.

Le të hamendësojmë sikur ju lexoni në gazetë një njoftim të Fakultetit të Psikologjisë që po kryen një eksperiment të vogël “për kujtesën”. Kërkohen vullnetarë të cilët do paguhen (mirë) për rreth një orë studim. Pagë e mirë, punë pa shumë lodhje e ju mendoni: E pse të mos shkoj!?
Shkoni në laborator dhe takoni dy burra – një shkencëtar që drejton kërkimin me një bluzë mjeku, dhe një tjetër vullnetare ashtu si ju.

Shkencëtari fillon t’ju shpjegojë të dyve se si funksionon studimi. Ai ju tregon se studimi ka të bëjë  me kujtesën dhe efektet e ndëshkimit, në përforcimin e saj. Detyra e vullnetarit tjetër është që të mësojë një grup fjalësh-dyshe (ky vullnetar quhet ‘Nxënësi’). Detyra juaj si ‘Mësues’ është të testoni kujtesën e Nxënësit mbi fjalët-dyshe dhe t’i jepni një shkarkesë elektrike për çdo përgjigje të gabuar. Voltazhi i shkarkesës elektrike rritet pas çdo përgjigje të gabuar që jep Nxënësi. Duket pak e çuditshme, por duhet të jetë në rregull apo jo?

Fillon eksperimenti dhe Nxënësi gabon një përgjigje. Ju tërhiqni levën dhe Nxënësit i jepet një goditje elektrike. Pas disa përgjigjesh, niveli i goditjeve elektrike rritet dhe Nxënësi fillon të belbëtojë ankime. Në 120 volt ai ju tregon që goditjet elektrike po fillojnë ta lëndojnë. Në 150 volt ai përpiqet të dorëzohet.
Shkencëtari ju thotë që të vazhdoni dhe “goditjet elektrike nuk do të shkaktojnë asnjë dëmtim të lëkurës”, kështuqë gjithçka është në rregull. Ju vazhdoni me pyetjet dhe të ndëshkoni përgjigjet e gabuara. Në 165 volt, Nxënësi bërtet nga dhimbja. Në 300 volt, Nxënësi refuzon t’ju përgjigjet, pasi goditjet elektrike po  ndikojnë aftësitë e tija mendore.  Shkencëtari ju nxit t’i trajtoni mos-përgjigjet si përgjigje të gabuar. Nxënësi fillon të shkelmojë, të gërvishtë me thonj dhe t’ju kërkojë mëshirë pas çdo goditje elektrike deri në 450 volt ku Shkencëtari ndalon eksperimentin.

Fundi i historisë, impresionuese apo jo?!

Mendoni se një eksperiment i tillë nuk mund të ketë ndodhur?
Në fakt ka eksperiment është real dhe ka ndodhur në vitin 1963 në Universitetin e famshëm të Yale. Eksperimenti ishte pjesë e një sërë eksperimentesh nga Stanley Milgram. Megjithatë e veçanta e eksperimentit vijon më poshtë.

Në këtë eksperiment:

  • nuk kishte goditje të vërteta elektrike
  • Nxënësi ishte një aktor
  • studimi nuk kishte të bënte me kujtesën!

Ajo që Milgram donte të mësonte nga ky eksperiment ishte se sa do vazhdonte tortura nga vullnetari në rolin e Mësuesit. Sigurisht, vullnetari në këtë rol mendonte që goditjet elektrike ishin të vërteta. Rreth 2/3  (ose 65%) e vullnetarëve i vazhduan goditjet elektrike ndaj ‘Nxënësit’ deri në 450 volt, pa marrë parasysh që Nxënësi u lutej për mëshirë. Megjithatë, pa nxitjen e ‘Shkencëtarit’, vullnetarët ndalonin së ndëshkuari goxha shpejt.

Fabula

Eksperimenti më sipër është përdorur për të shpjeguar se si gjatë luftës, disa njerëz kryen krime të tmerrshme dhe askush nuk tentoi t’i ndalonte.  Biles jo vetëm nuk u tentua t’i ndalonin, por shumëkush u bë pjesë e këtyre krimeve duke u angazhuar dhe vetë drejtpërdrejt (Shembull: Holokausti etj).

Morali kryesor i kësaj historie është që njerëzit shpeshherë pranojnë të kryejnë veprime të nxitura nga një person autoritar megjithëse këto veprime shkojnë ndesh me gjykimin e tyre personal.
Ne mund të kemi rrezerva, mund të mendojmë ndryshe, por ne prani të nxitjes të një njeriu më të pushtetshëm (autoritar) e kemi shumë kollaj të thyhemi dhe të bëhemi lodër e ambicjeve të tij! Pikërisht ky është integriteti i dobët. Për shumë kënd, veprimi sipas dëshirave të dikujt tjetër shoqërohet nga një revoltë e brendshme për të bërë atë që mendohet e drejtë personalisht. Normalisht të gjithë duhet ta lëmë atë revoltë të lirë…

Përse ky shkrim?

Gjatë kohës që kam lexuar këtë shkrim, menjëherë më janë kujtuar turmat si dele të mitingashëve, njerëz të varfër e hallexhinj që dalin në shesh për të kënaqur ambicjet dhe egot e ndonjë udhëheqësi të paskrupullt. Kuptohet ato janë shtresa që ndikohen më shpejt, shtresa me integritet më të dobët.
Pastaj më janë kujtuar mësueset e shkollave fillore, kontakti i parë intelektual-didaktik i çdokujt fëmije që merrnin klasat të dilnin në miting (historikisht, nuk po flas vetëm për 2009, por që nga viti 1946-2009).

Më janë kujtuar dhe gazetarët e thjeshtë që janë bërë papagaj të pronarëve të tyre, analistët që pretendojnë të jenë njerëz të mendimit të lirë, dhe intelektualët shqiptarë që fshihen pas mediokritetit të imponuar!

Mesa duket një nga problemet kryesore të shoqërisë shqiptare është pikërisht Mungesa e Integritetit dhe për këtë duhet te punojme ne te ardhmen duke filluar fillimisht nga pranimi i kesaj dobesie.

Conformity - Poster i marre nga zyra e Barney Stinson

Conformity - Poster i marre nga zyra e Barney Stinson

Artikulli eshte i bazuar mbi nje informacion te perpunuar nga blogjet: Skorks.com dhe Authorityrules.com