Butoni +1 i Google.

Butoni +1 i Google

Për të shtuar një buton të tillë në faqe ndiqni udhëzimet tek: http://www.google.com/webmasters/+1/button/index.html

Duket se Google nuk do të dorëzohet nga ideja e webit shoqëror. Mbulimi që arriti Twitter (kryesisht ne US), apo Facebook në çdo vend të varfër e të pasur të botës nuk mund të tolerohet gjatë nga domaini më i njohur në botë. Fakti që përdoruesit e internetit harxhojnë më shumë kohë në domainet shoqërore, fakti që informacioni po shpërndahet gjithmonë e më shumë nga Facebook, Twitter, Reddit e ndonjë lojtar tjetër po e zhvendos Google pak nga pak jashtë dominimit absolut të internetit.

Tentativat e para të Google erdhën me Google Buzz që tentonte të krijonte një konkurrent të drejtëpërdrejtë të Twitter, por që në njëfarë mënyre ngeli vetëm Buzz pasi përdorimi i tij ra brenda pak ditëve. Tentativa tjetër e Google është akoma një tunel i nëndheshëm që pritet të plotësohet çdo ditë e më shumë me të ashtuquajturit Google Profiles. Ky i fundit është pikërisht një profil publik i çdo përdoruesi, pikërisht ajo që Facebook dhe faqet e ngjashme kanë qendër të tyre prej kohësh.

Tentativa e rradhës quhet “Butoni +1” dhe është asgjë më shumë e asgjë më pak se një buton i stilit digg.com, Facebook Like apo butoni cicërues i Twitter. Ajo çfarë e bën të veçantë këtë buton? Për shumëkënd do ishte fakti që është një buton Google. Për mendimin tim e veçanta e tij është se do jetë dështimi i rradhës i Google (një tjetër googasëm?)

Shumë webmastera do nxitojnë ta vendosin këtë buton në faqen e tyre me idenë që mund t’i ndikojë në përmirësimin në makinën e kërkimit. Unë do isha i pari që do tentohesha nga kjo ide, e megjithatë duke e analizuar pak më shumë idenë e butonit do kuptohet që ai nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me rezultatet në internet.

Butoni +1 i Google është një shënues personal i faqeve me interes nga një përdorues i caktuar. Sipas Google, rezultatet e +1 do të ndihmojnë lidhjet tuaja shoqërore (miqtë tuaj në Google Profiles, Buzz etj) në kërkimet e tyre. Linket e vlerësuara nga ju, do shfaqen më lart në kërkimet tuaja dhe ato të miqve tuaj dhe ky është i gjithë roli aktuali i butoni +1.

Tani që u sqarua se pse mund të jetë i suksesshëm ky buton, kalojmë pak në shikimin tjetër se pse ky buton nuk do jetë i suksesshëm. Webmasterat kanë filluar gjithmonë e më shumë të përdorin butonat e Facebook/Twitter për tërheqje trafiku. Nga eksperienca personale, për çdo lidhje të botuar në Facebook Page të Shqiperia.Com, merren klikime të barabarta me 30-40% të numrit të fansave të asaj faqeje (nëse ke një faqe me 100 fansa, çdo link do të japë 40 vizita). Ndërkohë që numri i fansave të faqeve të mëdha rritet në mënyrë progresive, numri i lidhjeve personale është gjithmonë më i kufizuar. Ky numër qëndron paralel më dëshirën tonë për të pasur gjithçka publike në rrjetet shoqërore apo jo. Butoni +1 i Google bazohet pikërisht mbi këtë lidhjet personale, ndërsa butonat Facebook e Twitter bazohen mbi rrjete më të mëdha, më publike dhe me hap zgjerimi më të madh.

Nga ana tjetër, klikimi mbi një buton Google, është tërësisht pa vlerë për shumëkënd që nuk ka një profil Google, një llogari Google Buzz apo nje Gmail (dhe më besoni ka shumë të tillë). Për këto arsye dhe për shkak se këto butonat shoqëror po shtohen shumë në çdo faqe, vizitorët do klikojnë gjithmonë e më pak mbi +1shin e Google që dhe si markë nuk ka potencialin e duhur.

Personalisht mendoj që Google ka bërë sërisht një lëvizje të gabuar duke dashur ta nisë punën nga bishti siç thotë populli. Nëse do të krijosh një botë virtuale, filloje nga njerëzit, e jo nga shërbimet që duhet të jenë plotësuese.