Shembull: marka e rregjistruar Konjak Skenderbeu

Shembull: marka e rregjistruar Konjak Skenderbeu

Para ca ditësh më shkruan një mik i imi i Shkollës së Lartë. I punësuar pranë një nga kompanitë e mëdha shqiptare donte të më kontaktonte urgjentisht për një domain .al.

Domaini, i cili ishte emri i kompanisë ku punonte, ishte rregjistruar nga një kompani tjetër e cila aktivitetin e saj e shtrinte pikërisht në të njëjtën fushë.

Domaini ishte rregjistruar me ndihmën e Host.al dhe për të marrë informacionin e saktë si mund të proçedohet në këto raste ai po më pyeste se çfarë mund të bënte.

Duke qenë se këto do jenë ndër rastet e para të këtyre probleme dhe jam i sigurt se dhe Zyra Juridike e AKEP do e ketë të vështirë të zgjidhë çështjen e parë, e cila do jetë dhe përcaktuese në një farë mënyre në zgjidhjen e çështjeve të tjera, po shkruaj sugjerimet që i bëra mikut tim.

  1. Kontakto personin i cili ka rregjistruar domainin për të cilin ke interes dhe parashtro argumentat ligjore, morale e financiare që do e bindte atë të të tranferonte domainin me marrëveshje.
  2. Nëse nuk bihet dakort në një marrëveshje, atëherë duhet bërë fillimisht një kërkesë bllokimi e aktivitetit nën këtë domain pranë AKEP. Kërkesa duhet të përmbajë argumentimin ligjor dhe masën (bllokim domaini) që sugjeron kompania ankuese.
  3. Paralelisht me kërkesën për bllokim të domainit, duhet të bëhet dhe një kërkesë për rregjistrim të këtij domaini. Kërkesa me shumë mundësi do refuzohet me arsyetimin “domaini është i rregjistruar”, por hap rrugë për një tjetër kërkesë ku paraqiten bazat ligjore që ju japin ju të drejtën mbi këtë domain.
  4. Nëse AKEP nuk vendos për të drejtën tuaj të përdorimit të këtij domaini, atëherë mund t’i drejtoheni një Gjykate duke u ankuar drejt AKEP.

Nga ato që kam vërejtur në raste të ngjashme nëpër botë, të gjitha këto raste merren parasysh vetëm në praninë e një Marke të rregjistruar e cila ngjason me domainin. Nëse një markë ekziston, rregjistrari (AKEP) mund të vendosë në kalimin e plotë të pronësisë së domainit tek ankuesi, por shpeshherë ndodh që i lejohet mbajtja e pronësisë rregjistruesit aktual! I vetmi kusht është që rregjistruesi aktual nuk mund ta përdorë në një fushë të ngjashme me biznesin e ankuesit.

Si shembull: Nëse dikush rregjistron markaX.al dhe MarkaX është një markë mirënjohur për Mediat e shkruara, atij mund t’i lejohet mbajtja e domainit me kusht që të mos reklamojë një shërbim që ka të bëjë me Media, (por që mund të ketë të bëjë me Blegtorinë përshembull). Këto janë gjykime ndryshojnë shumë nga Amerika në Europë dhe nuk dihet akoma si do reagojë AKEP në rastet e para të tilla.
Ndoshta në të ardhmen AKEP mund të krijojë një forum ekspertësh që do sugjeronin në të tilla raste.

P.S Foto e markës së Konjak Skënderbeut është një shembull dhe ky shkrim nuk lidhet fare me këtë markë. E zgjodha si shembull pasi ka qenë një ndër konfliktet e mëdha të markave Shqiptare dhe sot pak kush e di që në Shqipëri prodhohet një Brandy Skënderbeu (produkt i ri dhe që nuk ka lidhje fare me kantinën me traditë) dhe ai i vjetri, që ruan të gjitha markat, praktikat e prodhimit dhe të drejtat e emrit (!)