Ecuria e faqeve te internetit

Nje shikim ne faqet e se nesermes
Nje shikim ne faqet e se nesermes

Gjithmonë ka pasur një dëshirë për të përcaktuar si do jetë e ardhmja e internetit apo cila do ishte një faqe e suksesshme interneti të nesërmen. Megjithatë parashikimet e biznesit, të specialistëve dhe të shkencëtarëve kanë dështuar pothuaj gjithmonë.

Diku nga fundi i shekullit te kaluar :p, tendenca e parë ishte që faqet e internetit ishin një ambient tjetër për të transferuar tregjet e mallrave. Investime të shumta u panë në website tregëtare në vitet 1995-2000. Shuma të mëdha u investuan në infrastrukturë dhe teknologji. Shumë aplikime u zhvilluan në kohë rekord e shumë lëvizje bursash krijuan një perceptim sikur tregu do zhvendoset tërësisht online, por me sa duket ishte tepër shpejt dhe gjithçka dështoi duke lënë pas kohën e “dot-com bubble”.

Periudha në fjalë nuk pati shumë ndikim në tregjet europiane dhe as në atë Shqiptar ku interneti ishte pothuaj jo-ekzistent (Në vitin 2001, një nga 3 ISPtë shqiptare numëronte 1600 përdorues emaili me shërbim vetëm POP3 mbi dialup, dhe llogaritë e internetit të dedikuar ishin të numëruara me gishta). Kuptohet që numri i vogël i përdoruesve të internetit përcaktonte dhe interesin dhe numrin e pakët të faqeve shqiptare në internet.

Natyra njerëzore dhe ndikimi në faqet shqiptare

Në një situatë të tillë, faqet e para shqiptare u ndërtuan nga studentë amatorë jashtë Shqipërisë. Kuptohet dëshira për t’u lidhur me të tjerë individë krijoi faqet e para të cilat ishin kryesisht dhoma chati në të cilat anëtarët njiheshin të gjithë dhe numëroheshin me gishta. Nuk kam për qëllim të flas për historinë e faqeve shqiptare, por më shumë për të treguar ciklin se si faqet me përmbajtje dhe shërbime të ndryshme ngriheshin dhe binin pas një fare kohe, prandaj po vazhdoj më tej.

Ndërsa faqet me chat po lulëzonin, faqet e para që mbështesnin identitetin kulturor dhe kombëtar filluan të shfaqen. Informacionet e para ishin në anglisht por disa faqe filluan të shtyjnë për informacion në shqip për shqiptarët dhe jo vetëm për të huajt. Pikërisht në këtë kohë filluan të dalin dhe disa faqe të disa qyteteve kryesore shqiptare.

Pas ngopjes me Chat-ra, interesi filloi të drejtohej ndaj forumeve dhe ambienteve të diskutimeve të cilët ishin komunitet e para virtuale shqiptare. Shumë komunitete të tilla u ngritën dhe natyra disi më serioze e tyre u dha një hov dhe një audiencë të re. Është interesante të zbulosh pas afro 8-9 vjetësh, se një shtresë e mirë e politikanëve të sotëm ishin anëtarë të diskutimeve në këto forume të cilët me kalimin e kohës nisën të humbisnin ritmin dhe volumin e interesit të mëparshëm.

Të ngopurit me forume dhe chate, vizitorët filluan t’i braktisin këto ambiente për të lundruar në faqet nostalgjike me muzikë shqiptare duke kërkuar një argëtim personal larg përplasjeve të mendimeve dhe diskutimeve pa fund e pa rezultat. Faqet më të njohura, papritur u bënë faqet pirate të muzikës.

Këtu po ndaloj për të bërë një përmbledhje të natyrës njerëzore që ka ndikuar në zhvillimin e faqeve shqiptare deri më sot.

  1. Vetmia dhe ndjesia shoqërore e të pasurit njerëz të njohur vërdallë – Faqet e para shqiptare me dhoma chati
  2. Identiteti kombëtar dhe kulturor – Ndikoi në krijimin e faqeve të para mbi kombin, zonat apo qytetet shqiptare
  3. Dëshira për të ndikuar të tjerët, debatet e një niveli me intelektual – Forumet e para shqiptare
  4. Argëtim – Faqet e para me muzikë falas, lojra e të ngjashme.
  5. Identiteti i grupit – Faqe me media shoqërore si Facebook, HI5 e të ngjashme
  6. Egoizmi – Qendërzimi i figurës solli faqe-blog, profile si në Twitter e të ngjashme

Në listën e mësipërme mungon nevoja për informim dhe faqet e para mediatike shqiptare. Duke qenë se ato kanë qenë aktive gjatë gjithë kohës dhe mbulonin pak a shumë të njëjtën përqindje vizitorësh, po i lëmë jashtë listës së mësipërme. Nuk po ndalem në pikën 5 dhe 6 pasi e di që shumëkush e mendon ndryshe, por në rrënjë besoj se qëndrojnë përcaktimet më sipër. Përveç këtyre faqeve informative, janë dhe faqet me shërbime të nevojshme që marrin gjithmonë trafikun e tyre si rrjedhojë e përmbajtjes unike që ofrojnë.

Në këtë pikë duke parë historinë dhe ndienjat që motivuan çdo etapë të faqeve shqiptare;

A mund të parashikojë njeri kush do jenë faqet e së ardhmes!?

Përfitimi dhe faqet shqiptare

Duhet përmendur që nuk janë vetëm faktorët shoqëror që ndikojnë në faqet shqiptare, duhet të përmend dhe ato politiko-ekonomik. Kontributi që jepet nga çdokush në ndërtimin e një faqeje, pritet të kthehet mbrapsht në formë reputacioni, reklame, ndikimi politiko-shoqëror ose shpërblimi financiar.

Epoka e Google Adsene solli interes në krijimin e faqeve të internetit. Papritur, aty ku dukej sikur nuk kishte asnjë fitim, por vetëm mund e kohë të shpenzuar, erdhi çasti që webmasterat po merrnin një shpërblim nga reklamat e vendosura në faqe.

Mundësia e një fitimi dhe volumi i programeve të lirë për përdorim (open-source) në internet solli dhe lulëzimin e faqeve me informacion pa fund e pa vlerë. Në një kohë të shkurtër numri i faqeve shqiptare u shumëfishua duke krijuar kopje identike dhe pak fantazi e individualitet.

Mundësia e fitimit nga një faqe interneti solli tepër interes dhe sot çdokush po pret të nuhasë se si do jetë faqja e suksesshme e së nesërmes që të nxitoj ta ndërtojë i pari 🙂 Normalisht një studim i historisë së faqeve dhe peshimi i faktorëve të përfitimit duhet të japë një vizion se kush janë faqet e së ardhmes.

Megjithatë, e ardhmja është shpeshherë përtej imagjinatës sonë.  Ka disa gjëra që mund t’i parashikojmë e disa gjëra që nuk mundemi. Përshembull, gjithë ajo ndienjë ‘uni’ që reflektohet në blogje e twitter nuk mund të ishte parashikuar para shumëvitesh. Askush nuk do e kishte menduar që interneti do de-centralizohej në shumë individë. (Nëse do e kishim imagjinuar, mund ta kishim pranuar dhe ndoshta dhe vënë bast mbi faqet personale dhe jo mbi forumet psh)

U largova shumë për t’u kthyer tek mendimi i parë kur nisa të shkruaja këtë shkrim. Faqeve të internetit kanë ndjekur jo llogjikën, jo dëshirat ekonomike, por ato shpirtërore të krijuesve. Nuk di asnjë shembull ku themeluesi i një faqeje të madhe, (aktuale, ose nga ato shqiptare të vjetra) është nxitur nga llogaritë me laps, por di shumë që kanë nisur si një shkëndijë pasioni shoqëror dhe janë ngritur në faqet më ndikuese.

Ndërsa përfundimi tjetër që doja të nxirrja është se gjithmonë faqet e ndikuara shpirtërisht kanë një periudhë ngritje dhe rënie të shpejtë. Edhe faqet tek të cilat webmasterat drejtohen drejt përmbajtjes, drejt shifrave, drejt trafikut e madhështisë. Të arrish numra është e lehtë, por t’i arrish në mënyrë të qëndrueshme bazuar mbi vlera që sjell një faqe interneti është më e rëndësisshme. Nëse web-i drejtohet drejt numrave, ai humbet natyrën e tij dhe kthehet në lodër të dëshirave të çastit të vizitorëve.  Personalisht mendoj se e vetmja gjë që ka me vërte vazhdimësi është shërbimi dhe vlerat që faqet përcjellin tek vizitorët.

5 Replies to “Ecuria e faqeve te internetit”

Leave a Reply