Kuptimi i vërtetë i Web 2.0


Mund të duket e çuditshme që pas 4 vjetësh nga prezantimi i parë i këtij emri, po bëj një shënim të shkurtër mbi kuptimin e Web 2.0. Ka një konfuzion mbi këtë emër, dhe megjithëse shumë e përdorin, të paktë janë ata që pas emrit kanë një vizion të saktë të tij. Nga eksperienca kam mësuar që interneti është i ngritur mbi koncepte tepër të thjeshta, por që fryhen (ekzagjerohen) në sytë e entuziastëve. Po ashtu është dhe me Web 2.0. Kemi të bëjmë me një koncept të thjeshtë, por që shpeshherë marketohet si një fantashkencë e vërtetë e shekullit tonë.

Termi u përdor për herë të parë nga Tim O’Reilly i cili dha dhe përkufizimet e tija duke bërë krahasime midis kompanive dhe praktikave Web 1.0 (ose Web-it të vjetër) dhe Web-it të ri. Për ata që dëshirojnë të lexojnë përshkrimin e tij, mund ta gjejnë tek artikulli “What is Web 2.0”. Përkufizimi i O’Reillit ishte një vëzhgim i ndryshimeve aktuale në 2005-ën dhe nga përkufizimet teknike në përshkrimet praktike filtrohen shumë informacione.

Praktikisht Web 2.0 është transferimi i faqeve nga përmbajtjet statike, në përmbajtje dinamike duke lejuar vizitorët apo faqe të tjera të kontribuojnë me informacion me faqen.

Para rreth 3-4 vjetësh teksa po diskutoja me bashkëshorten time (asokoh ishte e dashura ime) për perceptimet mbi Web 2.0, vura re se secili nga ne ishte fokusuar tek një tipar i veçantë i kësaj praktike. Atëherë i vetmi shpjegim që i jepja Web 2.0 ishte shpjegimi teknik i teknologjive që po përdoreshin. Për mua një faqe Web 2.0 ishte vetëm një faqe dinamike ku kishte AJAX dhe RSS. Dhe isha i saktë. Perceptimi i saj ishte që një faqe që u jep mundësi vizitorëve të shkëmbejnë dije dhe informacion mbi përmbajtjen e një faqeje Web 2.0. Sërish i saktë.

Web 2.0 bazohet mbi konceptin e përmbajtjes dhe të teknologjisë.

Revolucioni social i Web 2.0 lidhet me mundësinë e bashkëpunimit të vizitorëve të një faqeje. Lëvizja nga forma e kontaktit në një faqe personale, tek komentet e një blogu, tek komentet e fotove në një Media Sociale, tek mesazhet e twitter janë pikërisht reflektime të Web 2.0 në internet. Nga ana tjetër këto zhvillime nuk mund të vinin në jetë pa zgjerimin e teknologjive si AJAX apo XML. Perhapja e XML dhe e Web Serviceve është një tjetër tipar i Web 2.0. Jo vetëm bashkëpunimi midis vizitorëve por tani dhe bashkëpunimi ndërmjet faqeve në shkëmbim informacioni është një tipar i Web 2.0. (Web Services)

Po Web 3.0?

Jo më larg se pardje pati tentativat e para për të kaluar në një nivel tjetër webi. Në shkrimin Welcome to Web 3.0 Walt Mossberg dhe Kara Swisher hodhën gurin e parë për të pagëzuar lëvizjen drejt Web-it në telefona si Web 3.0. Megjithatë ky artikull nuk u prit mirë. Web 3.0 do ndodhë atëherë kur interneti të kalojë shoqërisht dhe teknologjikisht në një tjetër nivel. Deri atëherë ngelet vetëm të spekullojmë dhe të shikojmë sa herë do thërrasin Eureka entuziastët e webit.

Shënim: E nisa këtë shkrim pas një keqkuptimi që kishin dhe disa kolegë të mitë në Universitetin ku po punoj. Nuk pres që përshkrimi im të jetë ideal, por është një thjeshtim i konceptit të Web 2.0 për të qenë i perceptueshëm nga të gjithë.

2 Replies to “Kuptimi i vërtetë i Web 2.0”

  1. Mandi për web 2.0 nuk kam çfarë të shtoj më shumë, e ke thënë shumë mirë.
    Ndërsa sa i përket Web 3.0 mendoj se po i vie koha dhe kësaj gjenerate te re të Webit. Përderisa web 2.0 u quajt interaktiviteti i përdoruesit me webin, web 3.0 do te quhet interaktiviteti i web dhe api sherbimeve ndermjet tyre. Dhe mendoj se Bing do te quhet pioner i Web 3.0, pasi perdor disa web sherbime te cilat i mundesojne shfrytezuesit perdorim me te lehte te motorit te kerkimit, njekohesisht dhe marrje me te lehte te informacionit. Gjithashtu dhe Google ka filluar luften ne kete drejtim, me Google Wave.

    Ndoshta mund ta kem gabim, por ky eshte mendimi im personal!

  2. Besart pershendetje,
    Mendoj qe bashkepunimi (collaboration) ndermjet perdoruseve dhe faqeve, faqeve dhe faqeve eshte prap nje modul 2.0.

    Google Wave eshte nje aplikim interesant qe mund ta zhvendose konceptin e Web-it duke e qenderzuar ate, por kjo duhet pare sa do arrihet.

Leave a Reply