Lycos – Ku humbi Labradori simpatik?

Labradori Simpatik
Labradori Simpatik

Për mua dhe miqtë e mi që nisëm të lundronim në internet diku në fundin e viteve 1990, Labradori Simpatik i Lycos ishte një imazh që nuk mund ta harrojmë lehtë. Lycos.com nisi si një makinë kërkimi dhe ishte për një farë kohe shembulli i portalit që dëshironim të ndiqnim tek Shqiperia.Com. Aty gjeje gjithçka, që nga makina e kërkimit (më vonë e integruar me HotBot), tek shërbimi i emailit, tek shërbimi falas i hostimit (mbaj mend që faqet e para personale i kam krijuar tek Angelfire), tutorialet që lexoja pa i kuptuar tërësisht tek WebMonkey etj.

E megjithatë Lycos sot ka reduktuar shërbimet e tija duke u kufizuar vetëm në portalin .com. Fryrja e madhe me investitorë dhe keq administrimi korporativ (dhe jo nga ekspertë të internetit) i kompanisë rrezultoi në shkatërrimin e një prej portaleve pionere në internet.

Sa për pak histori, Lycos.com u krijua në Universitetin e Carnegie Mellon diku në vitet 1994-1995. Në vitin 2000, Terra Networks bleu Lycos për 12,5 miliard dollarë amerikanë. Megjithëse Lycos ofroi shërbime në tregun Britanik (lycos.co.uk), Austri, Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Hollandë, Spanjë e Zvicër ai dështoi në tërheqjen e nevojshme të financimeve nga këto tregje. Zhvillimet e dobëta të strukturës së emailit (tepër primitiv dhe jo efektiv ndaj spam) larguan shumë përdorues duke zhvleftësuar Lycos. Në 2004-n, Lycos u shit për çmimin 105 milion dollarë amerikanë tek Daum Communications.

Sot Lycos është si një dinosaur i vjetër muzeumi që ngelet për t’u studiuar dhe për t’u kujtuar nga nostalgjikët pasi nuk luan më rol në internetin botëror. Bashkë me GeoCities (që do mbyllet nga Yahoo këtë vit), Lycos është ambienti i dytë që ndiej keqardhje që po zhduket nga faqet e mia të përditshme.

Leave a Reply