Një tjetër faqe me thashetheme – There comes the … GOSSIP.AL
Përshtatju kërkesës së tregut është një ndër rregullat e arta të çdo biznesi. Para rreth një viti, tek Shqiperia.com lëshuam në përdorim një seksion me lajme VIP (për ata që cilësohen Vip-a nga shoqëria, dhe jo domosdoshmërisht Vip-at si shkencëtarët, profesorët etj).
Klikimet dhe vizitat në këtë seksion treguan që tregu shqiptar është i etur për këtë lloj lajmi dhe një pjesë e mirë e trafikut të faqes sonë ishte e drejtuar pikërisht në këtë seksion. Si gjithmonë luajtëm pak me llojin e përmbajtjes së lajmeve dhe imazheve shoqëruese të këtyre lajmeve për të parë reagimet e përdoruesve. Rrezultatet ishin pak të paparashikueshme për ne (dhe pak zhgënjyese) pasi vizitorët shfaqnin më shumë interes për një lajm mbi dashuriçkat e Ronaldinjos, se për një diskutim të Ismail Kadare. Lajmet që shoqëroheshin me foto sensuale të femrave ishin gjithashtu tepër të kërkuara, por këto nuk mund t’i pasqyronim nën Shqiperia.com, një faqe që duam ta mbajmë në një farë niveli.
Pas disa muajsh pune të dedikuar nga kolegët e mi dhe nga Eraldi (Erald Hoxha, Moderator Informacioni tek ShqiperiaCom Shpk), vendosëm të nxjerrim në internet një faqe të paçensuruar (deri në nivele të pranueshme të erotizmit). Faqja ka domainin Gossip.al dhe tashmë është vendosur në punë me lajmet e para.
Planet janë për rifreskime me lajme unike në tregun shqiptar dhe pasqyrim me foto dhe të tjera materiale alternative.