Mbyllu “Sesam” … përgjithmonë!

Plako, po na fshijnë Pirates Bay me gjithë ça ka mrena!

The Pirates bay
The Pirates bay

Një vit burg për pronarët e bregut të Piratëve dhe një gjobë e majme prej disa milion dollarë është vendimi që gjykata suedeze dha sot për një ndër sitet më të mëdha të Torrenteve në internet.

Për ata që nuk e dinë, “BitTorrent është një protokoll për shpërndarje të skedave (fajllave) peer-to-peer (P2P) i përdorur për distribuimin e sasive të mëdha të të dhënave (data). BitTorrent është një nga protokollet më të shpeshta për transferimin e fajllave të mëdha, dhe përbën rreth 35% të trafikut në të gjithë Internetin”. (Wikipedia Shqiptare)

Pirates Bay, së bashku me disa faqe të tjera si Mininova, ISOHunt etj krijojnë mundësinë që çdo person të kërkojë për skedarë të ndryshëm nëpër kompjutera të ndryshëm dhe në çastin që kërkimi është i suksesshëm, ai shkarkon një “gjurmues” që mban informacion mbi këtë skedar nëpër kompjutera të tjerë dhe fillon shkarkimin. Duke qenë se shkarkimi bëhet në copa të vogla, dhe nga shumë klientë të tjerë, shpejtësia e këtij sistemi është shumë e madhe dhe e leverdisshme për çdo kënd në internet. Shumë aplikime ofrojnë përveç shkarkimit nga FTP (Protokolli i transferimit te skedarëve) dhe BitTorrents (CentOS, Sun Open Office etj) dhe këtë lloj shkarkimi. Pjesa tjetër e botës… e përdor për të shkarkuar skedarë ilegalë! Nuk është sekret që çdo ditë në serverat e Pirates Bay, MiniNova, e të ngjashëm kalojnë me miliona skedarë programesh të modifikuara (crackuara), numra serialë, filma të rinj, albume muzikore etj. Shkarkimi i këtyre aplikimeve pa kontroll dhe abuzimet me liçencat e tyre  ka nervozuar prej kohësh artistët dhe akoma më tepër administruesit e pasurive të tyre të cilët kanë hapur disa herë gjyqe për rrespektimin e të drejtave dhe mbylljen e këtyre aplikimeve.

Gottfrid Svartholm Varg, majtas, dhe Peter Sundin, djathtas, themelues te Pirate Bay
Gottfrid Svartholm Varg, majtas, dhe Peter Sundin, djathtas, themelues te Pirate Bay

Nga pikëpamja teknike, Pirates Bay (dhe faqet e ngjashme) nuk bën gjë tjetër veçse ofron një mundësi kërkimi nëpër skedarët e klientëve të tjerë. E megjithatë, një support i tillë i stilit komunist për një internet të lirë nuk është pranuar nga gjykata suedeze. Ajo që shqetëson më shumë miliona përdorues të shërbimeve të Torrenteve është se pas Pirates Bay rradhën do e kenë dhe faqet e tjera, dhe ndoshta një ditë dhe Google apo makina të tjera kërkimi, të cilat si çdo informacion tjetër lejojnë dhe kërkimin për torrentë!

Ndoshta një ditë interneti do të humbasë lezetin e tij dhe do kthehet në një rutinë ku gjen nga një shitës në çdo faqe 🙁

Leave a Reply